Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, që është thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot, 22 qershor se do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.
“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiç.
Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.
Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.
“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.
Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar për situatën në veri të Kosovës me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy zyrtarët perëndimorë kërkuan shtensionimin e situatës në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




