Kosova

Nënsekretarja amerikane e Shtetit takim me Lajçak për situatën në veri: Të zbatohet plani trepikësh i BE

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland ka njoftuar për takimin me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilin e quajti “mik të vjetër”.

Nulanda shkroi në Twitter se i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes së fundit për rrugën drejt normalizimit.

Zyrtarja e lartë amerikane tha se e mbështesin planin trepikësh të Bashkimit Europian për mënyrën se si duhet zgjidhur kriza në veri të Kosovës.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim planin trepikësh të BE-së si mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës”, shkroi Nuland.

Ditën e djeshme në një diskutim publik për situatën në veri, Lajçak tha se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës: “t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe t’i kthehemi dialogut”.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, tha ai.

Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë