Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka vizituar sot, 20 qershor, tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur janë pyetur ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.
Në një konferencë për media me gazetarë, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, Kurti ka insistuar se policët janë rrëmbyer dhe se një veprim i tillë ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të, siç ka thënë ai, luftimit të krimit të organizuar.
Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë.
“Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion nga ana e Serbisë me anë të arrestimit të tre zyrtarëve policor thellë në brendi të territorit të Republikës së Kosovës. Ky akt i agresionit të pashembullt ushtarake të Serbisë, është hakmarrje direkte ndaj Policisë së Kosovës, vetëm e vetëm sepse po luftohet krimi i organizuar dhe që ka për synim destabilizimin, atëherë kur patëm propozuar planin pesë pikësh për deeaskalim të plotë të situatës në veri të vendit tonë”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu ka thënë se është i interesuar që të shkojë në Bruksel, në takimin që ka përmendur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Borrell.
“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit te Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike.
Për bindjen time, presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes bazike. Dhe tani i kemi gjithë këto kriza. Ai ka deklaruar më 24 prill që Marrëveshjen bazike e pranon vetëm në koncept, dhe jo në përmbajtje, çka është në kundërshtim me atë që ka thënë më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, dhe e dyta ka thënë se zbatimin e paramendon me kufi, zbatim i limituar, që është sërish në kundërshtim”, tha Kurti.
Përgjatë konferencës, Gërvalla ka thënë se ambasadori Jashari i ka vizituar të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë. Duke dhënë detaje, ajo ka thënë se takimet janë mbajtur ndaras, nga 15 minuta me secilin.
“Aty, secili prej zyrtarëve policorë e ka përshkruar ngjarjen e rrëmbimit të tyre, që nga momenti i kapjes, deri te dalja para prokurorit dhe gjyqtari i procedurës paraprake”.
Ajo ka thënë se policët kanë deklaruar se nuk janë keqtrajtuar, por nuk u është dhënë shumë ushqim dhe njërit prej tyre i mungojnë ilaçet e nevojshme për sëmundjet kronike nga të cilat vuan.
Zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor.
Prishtina ka thënë se ata janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




