Kosova

Arrestohet një serb për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç. Serbia: Vazhdim i torturës nga Kurti

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç më 16 qershor.

Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviçit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.

Ky është personi i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që kur janë rritur tensionet më 26 maj.

Serbia dënon arrestimin e serbit në Leposaviç

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe e ka cilësuar si “vazhdim të torturës nga [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti”, arrestimin e serbit në Leposaviç, duke akuzuar kryeministrin kosovar se po përdor “të gjitha mjetet për të provokuar konflikt me popullin paqësor serb”.

“Urosh. V është arrestuar herët në mëngjes pasi ka shkuar në punë. Ai është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me rroba civile, madje njëri prej tyre po voziste një veturë me targa KM”, u tha në reagimin e kësaj zyreje, e cila iu referua targave të makinave KM (Mitrovica e Kosovës) që lëshohen nga autoritetet serbe dhe konsiderohen ilegale nga Kosova.

Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i arrestuari është 28 vjeç “dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë kriminel”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë