I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se do të udhëtojë për në Uashington, për të zhvilluar bisedime lidhur me situatën në veri të Kosovës.
“Do të shkoj në Uashington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe për hapat e menjëhershëm”, shkroi Lajçak në Facebook, pa dhënë më shumë detaje.
Lajçak po ashtu tha se gjatë javës ka njoftuar Brukselin për vizitën që ka zhvilluar në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se për situatën në Kosovë ka biseduar edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.
“Të dy jemi pajtuar se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm që duhet të ndërmerren për përshkallëzimin e situatës”, tha Lajçak.
Për shkak të tensioneve në veri, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim krize. Takimi është parashikuar të mbahet këtë javë.
Por, Vuçiç deklaroi më 18 qershor se ai nuk do të marrë pjesë në një takim me Kurtin.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha ai për gazetarët në Beograd.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




