Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardhshme.
Vuçiç tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.
Vuçiç u shpreh se Serbia u përpoq, siç tha, që në çdo mënyrë të ruajë paqen dhe progresin.
“Sidoqoftë, sado që ne u përpoqëm që të jemi një partner serioz i fuqive perëndimore, ne jemi në rrugën evropiane, ua them sinqerisht, ata kurrë nuk na kanë parë ne në atë mënyrë. Nëse ne nuk do të respektonim çdo kërkesë, do të ishim fajtorë, edhe pse nuk jemi fajtorë”, shtoi ai.
Presidenti serb tha se shteti i tij do të mbetet në rrugën evropiane derisa ai ta udhëheqë Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk kishte vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.
“Nuk kam vendosur ende, por do ta njoftoj me kohë zotin Borrell, sepse nuk na ka ftuar për sonte por javën e ardhshme”, theksoi Kurti, duke e cilësuar të çuditshme ftesën për takim, pak pasi Borrell e kishte refuzuar planin e tij për uljen e tensioneve në veri.
“Kur kërkova unë që të takohemi në Bruksel ai më tha se së pari na duhet shtensionimi. Menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve, zoti Borrell, kërkoi takim të nivelit të lartë. Kur tensionet janë rritur mora ftesën për takimin e nivelit të lartë”, tha kryeministri Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




