Kosova

Mediat serbe: Serbët në Kosovë po planifikojnë të fillojnë vetë përgatitjen e Asociacionit

“Serbët në Kosovë po planifikojnë të fillojnë vetë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.”

Kështu shkruan media serbe Blic, duke iu referuar burimeve jo zyrtare, të cilët kanë bërë të ditur se serbët do të mbajnë një Kuvend ku edhe do të shpallin Asociacionin.

“Plani është që së shpejti të fillojë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe organeve të tij, dhe Dragisha Miloviç, mjek dhe ish-kryetar i Komunës së Zveçanit, do të propozohet për kryetar të parë”, thuhet në artikull. Për këtë vendim raportohet se kanë ndikuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më shumë se 10 vjet më parë dhe se Asociacioni nuk është formuar dhe pas gjithçkaje që kemi duruar ditët e fundit, është e qartë se askush nuk e dëshiron realisht: as qeveria në Prishtinë, as bashkësia ndërkombëtare. Prandaj ne do t’i marrim gjërat në duart tona”, thotë burimi i gazetës.

Sipas medias në fjalë, struktura e Asociacionit do të përbëhet nga Kuvendi, Presidenti, Kryetari, Këshilli, Bordi, Administrata dhe Zyra e Ankesave. Kuvendi, si organi më i lartë, do të përbëhet nga përfaqësues të caktuar nga secili kuvend i komunave anëtare nga radhët e këshilltarëve të zgjedhur.

Presidenti përfaqëson Komunitetin dhe asistohet nga nënkryetari. Kryetarin dhe nënkryetarin i zgjedh Kuvendi nga radhët e këshilltarëve të komunave anëtare dhe kryetarëve të tyre. Këshilli do të përbëhet maksimumi nga 30 anëtarë nga banorët e komunave, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave anëtare.

Bordi do të përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga kuvendi nga radhët e kryetarëve dhe banorëve të komunave anëtare. Komuniteti do të ketë gjithashtu një administratë, të kryesuar nga një shef, si dhe një Zyrë Ankesash, e cila do të ketë mandat të shqyrtojë ankesat në lidhje me objektivat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë