Kosova

DASH kërkon lirimin e 3 policëve të Kosovës, Von Cramon: Më në fund

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Qeverisë serbe që të lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor.

“Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media.

Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila dënohet deri në 12 vjet burg. Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë çështje reagoi dhe përfaqësuesja e PE për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila ripostoi reagimin e Departamentit të Shtetit, duke komentuar mbi të “Më në fund”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë