Gazeta Si – Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, në seancën e sotme në Kuvend, ku po diskutohet për situatën në veri të vendit dhe për kidnapimin e tre policëve, ka thënë se ka ardhur nga takimi me ambasadorët e QUINT-it, përfaqësues diplomatik dhe zv.ambasadorë të shteteve të tjera.
Kurti ka theksuar se shprehu indinjatën e tij për mosreagimin e KFOR-it për rastin e tre policëve. Ai theksoi se ka folur edhe me Gabriel Eskobar për këtë ngjarje.
“Kam folur me Eskobar, ambasadorin Hovenier dhe po vij nga një takim i përbashkët nga ambasadorët dhe zv.ambasadorët. Kemi informuar për ditën e djeshme dhe të sotme, kanë kaluar 30 orë dhe nuk kemi deklaratë të KFOR-it. Kam shprehur protestën time për këtë heshtje”, – ka thënë kryeministri i Kosovës.
Kurti ka vazhduar më tej, duke deklaruar se serbët kishin bërë rrëmbimin brenda territorit të Kosovës dhe kishin lënë gjurmët e tyre: “Në vendin e ngjarjeve janë gjetur gjurmët e këpucëve, që shkojnë në drejtim të Serbisë. Ata jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin, por edhe i kanë lënë gjurmët e tyre me tendencë. Synimi i tyre ishte që të dihet se ata ishin aty në atë kohë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




