Kosova

Shtrëngimi i kontrolleve /Rreth 60 kamionë nga Serbia presin të kalojnë kufirin me Kosovën

Në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë.

Gazmend Kastrati, shofer i një kompanie nga Kosova, mëngjesin e së enjtes po transportonte grurë nga Serbia për në Kosovë.

Sipas REL, edhe pse mjeti me të cilin Kastrati por transporte grurin ka targa të Kosovës, për shkak se malli ka origjinën nga Serbia, atij i është pamundësuar hyrja në territorin e Kosovës.

“Disa kamionë janë ndalë nëpër parkingje – kush ka pasur informacion. Ne që s’kemi pasur informacion kemi ardhur drejt e këtu. Në kufi pyetem tani por nuk kanë ndonjë vendim derisa ta marrin ku ta di unë atje nga lart”, tha ai.

Radha në kufi u shtua pasi Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.

“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina zyrtare thotë se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë