Kosova

Po lë në hije Kurtin? Osmani negocion me SHBA e BE: Jemi afër zgjidhjes së situatës në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duket se është rikthyer në një partnere të ndërkombëtarëve për të diskutuar për shtensionimin e situatës.

Pas fjalimit të mbajtur në Parlamentin Europian, Osmani në konferencën e dhënë për gazetarët ka paralajmëruar zgjidhjen e shtensionimit të situatës në veri.

“Vërtetë edhe unë mund t’i quaj sfida me të cilat po ballafaqohemi tani, por sfida që do t’i tejkalojmë, jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar. Jam vazhdimisht në diskutime, në kontakt me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë me shtetet individuale në shtetet e Bashkimit Evropian, me institucionet e BE-së dhe do të thosha që jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjedhje e përbashkët, janë disa detaje që akoma duhet të diskutohen”, është shprehur Osmani, duke shtuar se ka besimin e plotë që kjo sfidë do të tejkalohet.

Ndërsa edhe për Asociacionin, Osmani deklaroi se përgatitja e draftit të statutit të Asociacionit është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.

“Sa i përket kërkesave ndërkombëtare, vetëm ta përsëris, jemi afër. Shumë prej çështjeve që janë kërkesa tona siç është sundimi i ligjit janë edhe kërkesa të tyre. Pra, janë kërkesa të përbashkëta, është dakordim që duhet të ketë sundim të ligjit, dhe nuk duhet të këtë pandëshkueshmëri”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës ndërkohë lëshoi një deklaratë ku la të nëkuptojë se nuk po negocion vetëm kryeministri Kurti, por edhe vetë ajo.

“Kam kontakte me SHBA dhe me përfaqësues të vendeve të BE-së për zgjidhjen e situatës, por unë nuk e marr bajrakun (flamurin)”, tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë