Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar në lidhje me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për Asocacionin.
Vuçiç ka thënë se e respekton kryeministrin Rama, por ai nuk është i autorizuar të hartojë statutin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuçic ka shtuar se Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues dhe për këtë arsye nuk mund të bëjë draf-statut për Asocacionin.
“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues Serb. As kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar”, ka thënë Vuçiç për median serbe.
Vuçiç shtoi se në lidhje me Asocacionin nuk ka çfarë diskutohet më, pasi palët kanë rënë dakord në marrëveshjen me ish-kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.
“Nuk kemi çfarë të negociojmë këtu. Na jepni vetëm parimet dhe organet e Asocacionit siç janë negociuar dhe siç e kam inicializuar në vitin 2015 me (në atë kohë kryeministrin e Kosovës) Isa Mustafa. Nuk kërkojmë asgjë më shumë. A e dini se kur do të jetë? Asnjëherë, sigurisht jo derisa Kurti është në pushtet”, ka shtuar presidenti serb.
Prishtina ka mbajtur të njëjtin qëndrim refuzues për draftin e propozuar nga Rama, duke e konsideruar të panevojshëm pasi nuk është konsultuar paraprakisht me krerët e shtetit të Kosovës.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian e ka vlerësuar si mjaft cilësor dhe të shkruar me seriozitet propozimin e Ramës, i cili ka arritur në tryezat e presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




