Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi në një konferencë për media një propozim pesëpikësh për shtensionim në veri të Kosovës.
Ai u shpreh se propozimet ua ka përcjellë ndërkombëtarëve, duke nisur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe ambasadorëve të QUINT-it. Ai shtoi se s’ka marrë ende asnjë përgjigje për këtë propozim, që sipas tij do të qetësonte situatën.
Çfarë përmbajnë pesë pikat?
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme të tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave”, tha Kurti.
Po ashtu Kryeministri i Kosovës tha se ka kërkuar takim sa më të shpejtë me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel, mundësisht edhe brenda kësaj jave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




