Kosova

Ambasadorët e QUINT-it bojkotuan festën e Kurtit dhe Osmanit për 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, kanë bojkotuar pjesëmarrjen e tyre në pritjen shtetërore në kuadër të 24 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës ditën e djeshme(12 qershor).

Në cerermoninë e organizuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani të pranishëm nuk ishin as krerët e opozitës.

Të pranishëm kanë qenë vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe ai i Arabisë Saudite.

Vetë ambasadorët e QUINT-it nuk kanë bërë ndonjë sqarim për mungesën. Ambasadorët e QUINT-it janë ata të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës që gjenden në Kosovë.

Për këtë lajm ka reaguar më pas Presidenca e Kosovës që thotë se nuk ka pasur kurrëfarë bojkotimi. 

Këshilltari për mediat i Presidencës, Bekim Kupina, tha për Kanal10 se ndonëse në këtë pritje nuk ishin prezentë ambasadorët, aty ka pasur përfaqësues të tjerë të shteteve të QUINT-it.

“Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë”, – u shpreh Kupina. “Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershorin”, – ka thënë ai.

Ndërsa sot, 13 qershor, Kurti është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe takimi ka zgjatur dy orë, një ndër më të gjatët të mbajtur ndonjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë