Stuhi të forta shiu e breshëri kanë përfshirë pasditen e kësaj të diele Tiranën, duke sjellë jo pak probleme në qarkullimin e automjeteve dhe personave nëpër rrugët e kryeqytetit. Deri tani nuk njoftohet për dëme të konsiderueshme, por biznese të ndryshme kanë postuar në rrjetet sociale përmbytje t ë menjëhershme të ambjenteve të tyre.
Disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit si Rruga e Barrikadave, Rruga e Elbasanit dhe zona e “9 katësheve” janë përmbytur duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve. Stuhitë e herëpashershme janë shfaqur në disa zona të kryeqytetit duke shkaktuar edhe pamundësi për shkarkimin e sasisë së madhe të rreshjeve masive që bien në një kohë të shkurtër.





Prej disa javësh në të gjithë Shqipërinë po ndeshemi me një mot të pazakontë për vendin tonë, ku gjatë paradites moti është i kthjellët dhe i nxehtë, ndërsa pasdite shoqërohet me rrebeshe të fora shiu dhe stuhi ere.
Moti i paqëndrueshëm i kësaj të diele ka ndikuar dhe te turizmi. Reshjet e shiut kanë bërë që të largohen pushuesit nga plazhet e Vlorës. Kjo gjë ka sjellë dhe shumë trafik në lëvizjen e automjeteve.
Kujtojmë që kjo e diel ishte parashikuar me një mot me vranësira në të gjithë vendin, më të dendura në zonat e veriore dhe veriperëndimore.
Kjo situatë e paqëndrueshme atmosferike ishte parashikuar të mbetej deri në orët e mbrëmjes kur edhe ishte parashikuar të pritej përmirësim i dukshëm i motit.
Edhe për javën që presim përpara vendi ynë por edhe një pjesë e madhe e kontinentit europian do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti për të gjithë ditët e javës parashikohet me kthjellime por nga orët e mesditës dhe më pas parashikohet shtim vranësirash deri të dendura. Vranësirat në relievet kodrinore-malore do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri dhe mesatar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



