Studentët serbë të “Universitetit të Prishtinës” me seli në veri të Mitrovicës, ju janë bashkangjitur protestuesve sot në Zveçan.
Ata, të veshur me bluza të bardha me mbishkrimin “Dil vogëlushe” që është titull i një kënge, të cilën edhe e kënduan gjatë performancës së tyre, kanë përçuar mesazhin që policët e Kosovës të dalin nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit.

Margareta Smiljaniç, përfaqësuese e organizatës studentore nga Serbia, tha se është bashkuar në protestë për t’u solidarizuar me serbët e Kosovës.
Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë nëpër tendat e improvizuara dhe numri i tyre është i konsiderueshëm.
Një helikopter i KFOR-it herë pas here po vëzhgon nga ajri situatën, e cila në këtë komunë konsiderohet të jetë e qetë, por nën tension.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




