Pak para se të futej në Kuvend, i rrethuar nga deputetët e tij si për t’i dhënë më shumë rëndësi deklaratës, Sali Berisha tha se propozimi i Edi Rames për asociacionin e komunave me shumicë serbe është hartuar në Beograd.
“Argati i Vuçiçit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan, dhe pas Putinit të Madh edhe në Europë, Aleksandër Vuçiç.
Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë.
Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rrama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës. Përpiqet të sfumojë problemet e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet...”, tha Berisha për mediat. Ai sqaroi sërish qëndrimin për Asociacionin.
“Përsa i përket Asociacionit, e kam mbështetur dhe do e mbështes si një derivat themelor i lirisë. Por theksoj se Asociacioni nuk mund të jetë kurrë jashtë prerogativave kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Çdo Asociacion që del jashtë kësaj kornize, është një rrezik i vërtetë madhor jo vetëm për Kosovën, por për paqen e stabilitetin në gadishullin e Ballkanit, një faktor jashtëzakonisht i rrezikshëm i serbomadhnisë apo i shtrirjes së shtetit serb”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.