Gazeta Si – Gjendja shëndetësore jo e mirë e bashkëshortes, është arsyeja kryesore që Gjykata e Elbasanit vendosi të lirojë dhe të vijojë dënimin në kushte shtëpie për Saimir Tahirin.
Një dënim alternativ për ish-ministrin e Brendshëm, i cili do të lerë ambientet e burgut për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.
Avokati Maks Haxhia, sqaroi se ky vendim jepet kur plotësohen 5 kushte. Një prej tyre, më kryesori në rastin e Tahirit, duket se është gjendja e përkeqësuar shëndetësore e bashkëshortes së tij, që i pamundëson të kujdeset për 2 fëmijët e mitur.
“Kodi Penal thotë që ka një sërë dënimesh alternative, në të cilat përfshihet edhe qëndrimi në shtëpi. Dhe për të marrë këtë vendim, për të arritur në këtë konkluzion, duhet të konkurrojnë 5 kushte. Kushte, sipas Kodit Penal janë vepra për të cilën është dënuar kërkuesi, duhet të ketë rrezikshmëri të ulët shoqërore. Kuptohet që është dënuar për shpërdorim detyre, që gjasat janë me ndryshimet e reja që mund t’i bëhen Kodit Penal, të hiqet fare si vepër penale”, - tha ai.
Avokati më pas tregon dhe kushtet e tjera: “E dyta, kur vetë personi paraqet rrezikshmëri shoqërore, është e pamundur. Kuptohet që Tahiri në këtë rast s’mund të pretendohet që ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për këtë vepër. E treta është t’i ketë ngelur më pak se 2 vjet. Nga 3 vjet e 4 muaj, Tahirit i kanë ngelur 1 vit e 7 muaj e 11 ditë. E katërta të ketë fëmijë të mitur në ngarkim, që i ka dy fëmijë. Dhe e pesta është që bashkëshorti/ja i lirë, që nuk është i dënuar, duhet që të jetë në pamundësi shëndetësore dhe në këtë rast bashkëshortja e Saimir Tahirit vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat, sëmundje e cila është arritur dhe me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të jetë në pamundësi për t’u shërbyer fëmijëve”.
Sipas Maks Haxhiajt, këto 5 kushte, gjykata pas 5 muaj e sa, i ka shqyrtuar dhe i ka analizuar, duke dalë me vendimin për lirim nga qelia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.