Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.
Osmani e konfirmoi se Macron dhe Scholz kërkuan që Kosova të gjejë mënyra për të mbajtur zgjedhje të reja në veri dhe që serbët të marrin pjesë në to.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha ajo, në një konferenë për media.
Osmani tha po ashtu se u tha liderëve evropianë se procedurat ligjore mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Kjo nuk bëhet menjëherë por këto janë procedura ligjore që u mundësojnë qytetarëve të vendosin nëse duan të mbajnë zgjedhje”, shtoi ai.
Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Osmani shkroi në Twitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiç tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin.
Vuçiçi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të.
Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi.
“Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiç.
Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, tha Vuçiçi, pas takimit me Borrellin.
Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani.
Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi.
“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin.
I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiç tha se nuk e di.
Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




