Kosova

Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet. Osmani: Vuçiç të ndalojë mbështetjen për bandat kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duhet ta ndalojë mbështetjen për “bandat kriminale” nëse vërtet do paqe.

“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”, tha Osmani.

Ajo po merr pjesë në një takim të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në Kishinjev të Moldavisë.

“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë, dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi që i bën Serbia ekzistencës së Kosovës si shtet sovran”, tha Osmani.

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Vuçiç e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Duke folur pas mbërritjes në samit, Vuçiç tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.

“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë