Kosova

Kurti pritet të takohet me Borrell dhe Lajçak në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të takohet me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të sotme në Bratisllavë të Sllovakisë.

Lajmi është konfirmuar nga zyra e kryeministrit.

“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjera, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell dhe emisarin e BE-së, Lajçak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Vuçiç megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë