Gazeta Si – Serbët në veri të Kosovës vijojnë edhe këtë të mërkurë në ditën e tretë të protestave në veri të Kosovës, ku, kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
KFOR-i ka marrë në ruajtje godinat e komunave të veriut të Kosovës. Aty ka prezencë edhe të forcave të Policisë së Kosovës. Përreth ndërtesave, është vendosur një perimetër sigurie me tela me gjemba.
Radio Evropa e Lirë raporton për tubimin e një numri më të madh protestuesish, në krahasim me një ditë më parë në Zveçan.
Situata duket e qetë dhe në mesin e protestuesve ka një numër të madh të të punësuarve në institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë. Po ashtu mes protestuesve është shpalosur një flamur gjigand i Serbisë.






Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviç, përsëriti kërkesat e protestuesve që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.
Në dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.
Në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.
Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




