Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse “është më e rëndësishme për të që të jetë me njerëzit e tij”.
Vuçiç i bëri komentet në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Burime të BE-së e përmendën Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në Bratisllavë, aktualisht, po mbahet një takim për sigurinë dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Vuçiç kanë qenë të ftuar.
Nga kabineti i Kurtit thanë më herët se shkuarja e tij në Bratisllavë ka qenë e planifikuar, por është shtyrë, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Përmes postimit në Instagram, Vuçiç, po ashtu, tha se do t’i vizitojë ushtarët e dislokuar serbë në pozicione pranë kufirit me Kosovën.
Vuçiç ka dhënë urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe dhe për dislokimin e trupave më pranë kufirit, pasi Qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka instaluar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Ky veprim ka nxitur protesta në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




