Gazeta Si – Bashkimi Evropian dënoi dhunën në Zveçan, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, “në termat më të fuqishëm të mundshëm”.
Një ditë më herët atje, grupe protestuesish serbë, që kundërshtonin instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë, u përleshën me forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Së paku 25 ushtarë u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
“Aktet e dhunshme, të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që “menjëherë dhe pa kushte” ta çtensionojnë situatën.
“Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, tha Borrell.
The EU condemns today’s shocking violence in #Zvecan in the strongest possible terms.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 29, 2023
The violent acts committed against @NATO_KFOR troops, media, civilians and police are absolutely unacceptable.
1/2
Ndërsa Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.
Ristuccia po ashtu kërkoi nga palët që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë”.
Përmes një njoftimi për media, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë ndërhyrjes në Zveçan të hënën, 30 ushtarë të këtij misioni u lënduan: 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian.
“Ata pësuan lëndime të shumta, përfshirë thyerje dhe djegie nga pajisjet e improvizuara shpërthyese dhe mjetet ndezëse”, u tha në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




