Gazeta Si – Presidenjta e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se tensionet në veri po shkaktohen “nga strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.
Përmes një postimi në Twitter, Osmani dënoi dhunën në veri, prej ku akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për destabilizimin e veriut të vendit.
“Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi presidentja.
Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Gjatë operacionit u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.
Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.
Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




