Gazeta Si – Për tensionet e fundit në veri të Kosovës ka reaguar edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai e ka cilësuar situatën alarmante dhe që mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.
“Një shpërthim i madh po përgatitet në zemër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti
Ai paralajmëroi një shpërthim të madh në Ballkan dhe theksoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane. “Asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka hyrë me forcë në këto komuna për t’i instaluar kryetarët e rinj. Qeveria e Kosovës i ka mbrojtur veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




