Ekonomi

Minxhozi: Nuk e kemi vendosur ende nëse do rrisim interesin në qershor. Inflacioni arrin 3% në pak kohë

Nga Gazeta ‘SI’ – Nëse parashikimet dhe synimet shkojnë siç duhet, atëherë Shqipëria mund të ketë inflacionin më të ulët në Europë, deri në shifrën 3% për një kohë të shkurtër.

Kështu ka deklaruar zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në samitin rajonal të Guveratorëve në Budva.

Minxhozi tregoi se Banka e Shqipëri po shqyrton ende mundësinë e një tjetër rritje të interesave në muajin qershor.

“Nuk kemi vendosur ende a do të rriten normat e interesit gjatë muajit qershor. Tani për tani, jemi duke bërë një rritje të pagës për tregun e punës. Pra do ta bëjmë deri në 25%”, tha zv.guvernatorja.

Minxhozi ka renditur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar shteti në vitet e fundit.

“Shqipëria ka pasur disa vite të rënda. Jemi prekur nga tërmeti, ku janë shkaktuar dëme të mëdha në shumë qytete. Po ashtu edhe nga Covid jemi prekur, si çdo shtet i botës dhe së fundmi edhe me luftën në Ukrainë, që ka pasur ndikim në ekonomi. Siç thuhet ‘djalli fshihet në detaje’, dhe këtë e kemi bërë edhe ne, dhe kjo ka ndikuar edhe tek inflacioni i ulët. Ka pasur shumë detaje e punë që kjo të arrihet. Por, kemi edhe papunësinë e vogël. Shkalla e jonë e papunësisë është më e ulëta në 20 vitet e fundit. Tregu ynë i punës shumë i ashpër. Kemi edhe mungesë të fuqisë punëtore, rinia po synon Europën, mirëpo ne dhe Qeveria jemi duke punuar që ata të mos ta lënë vendin.”

Në Samitin Rajonal të Guvernatorëve, ministrave të Financave dhe drejtorëve të Administratës Tatimore, që po mbahet në Budva të Malit të Zi po marrin pjesë përfaqësues të shteteve të ndryshme të Europës, si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Kroacia.

Në këtë Samit, të gjitha shtetet kanë treguar gjendjen aktuale që kanë dhe me çfarë po përballen.

Shumica kanë pranuar se nga Covid dhe lufta në Ukrainë kanë pësuar goditje ekonomike. Inflacioni, rritja e çmimeve e normat e interesit tek kreditë janë temat që po diskutohen kryesisht në vendet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë