Ka përfunduar takimi midis kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Takimi u zhvillua në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në të nuk morën pjesë krerët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, që vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas takimit, ambasadori amerikan Hovenier është parë duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë.
I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund të përgjigjet tani për tani.
“Nuk e di nëse do të shkoj në zyrë sot. E kam agjendën shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.
Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.
Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




