Kosova

Situatë e qetë në veri /Kurti u drejtohet qytetarëve: Bashkëpunoni me kryetarët e rinj të komunave

Pas tensioneve të djeshme(26 maj) të krijuara në veri të Kosovës me qëllim pengimin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, situata sot duket e qetë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë në veri të vendit, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj të komunave dhe tha se të gjitha rrugët për në veri janë të lira.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se marrja e detyrës dhe hyrja në objektet e komunave në veri, do të duhet të ishte gjëja më normale e mundshme.

Sipas tij, ata janë të zgjedhur me votë dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve.

Ai ka theksuar se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve lidhur me situatën e krijuar, por opsionet e tjera do të ishin mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë. Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, shkruan Kurti.

Ai ka falënderuar Policinë për qëndrimin profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit.

“Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit. Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët”, ka shtuar ai.

Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë