Gazeta Si - Ka dështuar për të tretën herë me radhë seanca në Gjykatën e Posaçme për Fatmir Mediun i akuzuar pë çështjen e Gërdecit.
Këtë të mërkurë pritej pretenca, pra që Prokuroria e Posaçme të lexojë konkluzionet për Mediun, të cilin e ka marrë të pandehur për dy vepra penale,
Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes, Henrik Ligori dhe Ardian Visha.
Avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori i bënin me dije gjykatës se për arsye objektive nuk mund të merrnin pjesë.
Gjykata në fund vendosi shtyrjen e seancës për në 7 qershor, ora 14:00. Në këtë datë, prokurori pritet të japë konkluzionet përfundimtare.
Gjykata e Posaçme caktoi avokat kryesisht për ish-ministrin e Mbrojtjes për seancën e ardhshme, Artan Simonin.
Fatmir Mediu është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” dhe “shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak” për çështjen “Gërdeci”.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”
Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë çështjen në gjykim themeli.
Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha.
Në 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve, humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” dhe fëmijë të zonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.