Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndryshuar pritshmëritë, që ekonomia e Britanisë të shkojë në recesion këtë vit, si dhe ka përmirësuar parashikimet e publikuara muajin e kaluar, duke paralajmëruar se perspektiva mbetet e ndrydhur.
FMN tha se produkti i brendshëm bruto britanik, duket i vendosur të rritet me 0.4% në 2023. Në prill, ajo parashikoi një tkurrje prej 0.3%, perspektiva më e dobët midis ekonomive të vendeve të zhvilluara.
FMN tha se perspektiva e përmirësuar pasqyronte elasticitetin e papritur të kërkesës, e ndihmuar pjesërisht nga rritja më e shpejtë se zakonisht e pagave, shpenzimet më të larta të qeverisë dhe besimi i përmirësuar i biznesit.
Rënia e kostove të larta të energjisë dhe normalizimi i zinxhirëve të furnizimit global, ndihmuan gjithashtu.
“Aktiviteti ekonomik është ngadalësuar ndjeshëm nga viti i kaluar dhe inflacioni mbetet i lartë, pas goditjes së rëndë të kushteve të tregtisë, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe, deri në një farë mase, ofertës së punës që shënoi plagë nga pandemia,” tha FMN.
Inflacioni britanik ka të ngjarë të bjerë në rreth 5% deri në fund të këtij viti, nga më shumë se 10% në mars dhe duhet të kthehet në objektivin e tij prej 2% deri në mes të 2025 – gjerësisht në përputhje me parashikimet e Bankës së Anglisë.
Ekonomia ka të ngjarë të rritet me 1% në 2024 dhe 2% në dy vitet në vijim, përpara se t’i kthehet normës së rritjes afatgjatë prej rreth 1.5%, sipas parashikimit të FMN.
Potenciali i rritjes së Britanisë, mund të përmirësohet me marrjen e masave për të trajtuar ndikimin e sëmundjeve afatgjata në fuqinë punëtore dhe duke reduktuar pasigurinë e politikave dhe rregulloreve, që dëmtuan investimet e biznesit.
Një marrëveshje e rishikuar kohët e fundit me Bashkimin Europian për tregtinë pas Brexit, që përfshin Irlandën e Veriut dhe një qasje “më të matur” për heqjen e ligjit të BE-së, duhet të inkurajojë investimet e biznesit.
FMN tha se këmbëngulja e mëtejshme në inflacion dhe rritjet e paqëndrueshme të pagave, ishin kërcënimet më të mëdha afatshkurtër për perspektivën ekonomike të Britanisë dhe se Banka e Anglisë duhet të sigurojë që politika monetare të mbetet e shtrënguar.
Banka e Anglisë ka rritur kostot e huamarrjes në 12 takime radhazi, duke i çuar normat në 4.5% këtë muaj dhe tregjet financiare parashikojnë se do të rriten në 5% gjatë vitit.
Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



