Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pritet të betohen nesër(25 maj) në orën 10:00, në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.
“Me kërkesë të MAPL-së është caktuar data 25 maj për betimin e kryetarëve në tre komunat veriore në objektet publike të komunave”, tha sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi.
Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri nga radhët e PDK-së, pritet të betohen si kryetar i Zveçanit, respektivisht Zubin Potokut, kurse Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të betohet si kryetar i Leposaviqit.
Ndërkaq, të premten e javës së kaluar, Erden Atiq është betuar si kryetar i Mitrovicës së Veriut.
Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin zgjedhor.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




