Takimi në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç përfundoi pa rezultate.
Ndërmjetësi Lajçak thotë se diskutimet do të vazhdojnë në nivel të grupeve punuese dhe ekspertëve.
U diskutuan një sërë temash, por nuk pati asnjë rezultat për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe Aneksit të saj.
Ky ishte epilogu i një takimi të gjatë më 15 maj të zhvilluar në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ngecje në zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit që u mbajt në Bruksel, në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi.
Sipas tij, gjatë javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente “që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit të Deklaratës për të Zhdukurit që tashmë është nënshkruar”.
Po ashtu si duhet të vazhdohet “me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Mirëpo në këtë pikë, gjithnjë ka ngecje.
“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër, thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet e tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit disa orësh në Bruksel, duke mos bërë të ditur, nëse do të ketë takime të sërishme megjithë paralajmërimet e ndërmjetësit Lajçak.
Petkoviç: Kosova e bën të pakuptimtë rrjedhën e dialogut
Kurse për palën serbe, tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është prioritet, ndonëse Prishtina zyrtare, nuk e sheh si të tillë.
Për këtë temë sipas kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviç, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.
“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët e shumë të tjera, për këto, z. Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete”, tha Petar Petkoviç duke u ankuar për homologun e tij kosovar që sipas Petkoviç, “përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”.
Megjithëkëtë mospajtim ndërmjet Bislimit dhe Petkoviç, ndërmjetësi i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, shkroi në Tëitter, se “takimi i 15 majit, synoi që të qartësonte çështjet e hapura” dhe paralajmëroi se “diskutimet do të vazhdojnë”.
Lajçak takoi ndaras kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviç, dhe para këtyre takimeve ai kishte shkruar se “është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit”.
Hapi tjetër – takime të grupeve të punës
Në fillim të këtij muaji, dy liderët kryesorë të Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Abin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiç u pajtuan dhe e nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit nga lufta në Kosovë.
Por ata kishin kundërshtime të ashpra rreth një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë sebe që ekipi menaxhues i Kosovës që përbëhej nga katër serbë, e prezantoi para tyre.
Vuçiç pajtohej, por për kryeministrin Kurti, drafti i Asociacionit ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Sidoqoftë, megjithë mospajtimet, Bashkimi Evropian, sipas ndërmjetësit Lajçak, pret që pas takimit të ditës së djeshme Bislimi-Petkoviç, të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj./ DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




