Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e mëtejshme e normave të interesit do të vazhdojë të bllokojë rritjen e bizneseve private në Shqipëri si edhe konsumin. Ky është një ndër parashikimet e Komisionit Europian për Shqipërinë, në raportin e fundit.
Panorama për vitin 2023 nuk është shumë pozitive, sipas KE-së, e cila përmend më tej emigrimimin dhe mungesën e fuqisë punëtore si faktorë që do të ndikojnë negativisht në zhvillimin e vendit. Gjithsesi, KE e ka rritur me 0.3 pikë përqindje parashikimin për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, nga 3.6 në 3.9%.
Shoqëruar me efektet bazë dhe rritjen e dobët të investimeve publike (ndërsa rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019 pritet të përfundojë), rritja e investimeve pritet të bjerë në 1.3% në 2023. Konsumi publik parashikohet të jetë i ndrydhur dhe eksportet do të “ngrijnë”. Rritja e konsumit privat parashikohet të ngadalësohet, por do të mbetet i fortë në mbi 3%, mbështetur nga rritja e punësimit dhe pagave, të cilat duhet të nxiten nga rritjet e shpallura në publik dhe pagat minimale.


Ngadalësimi i kërkesës së brendshme parashikohet të zbusë rritjen e importeve, ndërkohë që kërkesa e jashtme pritet të ushtrojë presione frenuese mbi eksportet e mallrave. Megjithatë, eksportet e shërbimeve pritet të mbeten relativisht të pandikuara nga ngadalësimi i ecurisë ekonomike të partnerëve tregtarë, pasi Shqipëria mbetet relativisht një vend destinacion turistik i lirë dhe tërheqës.
KE përmend edhe varësinë e Shqipërisë nga energjia hidrike si një element jo fort pozitiv, lidhur me ecurinë e kushteve atmosferike.
Për vitin 2024, KE pret që Shqipëria të ketë performancë më të mirë dhe ka rritur parashikimin e saj nga 3.4% në 3.8%. Punësimi do të nxitet nga aktivizimi në forcën e punës i popullsisë jo aktive dhe shkalla e papunësisë do të ulet në 10.3%.
Ndërsa çmimet e importit janë në rënie dhe presionet e çmimeve nga tregu i brendshëm po pakësohen, inflacioni parashikohet t’i afrohet objektivit prej 3% në vitin 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



