Gazeta Si - Gjykata ka shtyrë këtë të martë për në datën 24 maj në orën 12:00, seancën e parë për çështjen “Gërdeci", ku shkak është bërë mungesa e avokatëve.
Avokatët e Fatmir Mediut, ish-ministrit të pandehur tashmë, Henrik Ligori e Ardian Visha, kishin vënë në dijeni Gjykatën për mosprezncën e tyre, pasi ishin të angazhuar në procese të tjera gjyqësore.
Gjykata nuk u shpreh për kërkesën e familjarëve të dëmtuar, pasi duhet të jenë prezentë edhe avokatët e të pandehurit për të marrë vendim.
Në 24 prill të këtij viti, u shty seanca e parë për “Gërdecin”, pasi Prokuroria nuk i kishte gati konkluzionet për çështjen, ku i pandehur është marrë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Ndërkohë, avokati i ish-ministrit kërkoi pushimin e çështjes, pasi ajo është parashkruar. Ardian Visha u shpreh se Mediu nuk mund të merret i pandehur pasi kanë kaluar 12 vite nga fakti penal.
“Pas gati 2 vjetësh hetime të reja të SPAK-ut që prodhuan zero rezultat, çështja është e pamundur për të vijuar më tej për shkak të parashkrimit”.
Ish-ministri Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak.
Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”
Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë çështjen në gjykim themeli.
Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha.
Në15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.