Gazeta Si – Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, do të qëndrojë në Serbi dhe Kosovë këtë javë për t’u takuar me udhëheqësit e dy vendeve. Diplomatët amerikanë dhe europianë po punojnë për stabilizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy ish-armiqve të kohës së luftës, në një kohë tensionesh të rritura.
Power bëhet kësisoj udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.

Serbia dhe Kosova kanë marrëdhënie shpesh armiqësore që nga ndarja e Kosovës nga Serbia. Fërkimet midis Serbisë dhe Kosovës, e cila ka një shumicë etnike shqiptare dhe një pakicë etnike serbe, janë rikthyer mes tensioneve të përgjithshme që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar.
Power do të takohet me kryeministrat dhe presidentët e dy vendeve për t’i inkurajuar të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ajo “do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes partneritetit tonë për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik”, thuhet në një deklaratë të USAID.
Power do të jetë zyrtari i parë i lartë i qeverisë amerikane, që do të udhëtojë në rajon që kur Bashkimi Europian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të dy vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që t’i përkushtohen dialogut paqësor.
Bashkimi Europian ka shpenzuar 12 vjet, duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj. Brukseli dhe ShBA-të shpesh ndërhyjnë për të ulur tensionet midis dy vendeve, posaçërisht vitin e kaluar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Lufta në Kosovë shpërtheu kur shqiptarët etnikë ngritën krye kundër sundimit serb dhe Serbia u përgjigj me një shtypje brutale. Rreth 13000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, u vranë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës.
Power gjithashtu do të takohet në Serbi dhe Kosovë me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesesh, gazetarë dhe të tjerë, duke përfshirë ish-lojtarin e njohur serb të NBA-së, Vlade Divac, dhe sportistë me aftësi të kufizuara./VOA/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




