Kosova

Konjufca: Serbia po kërkon Republikë serbe në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, i ka garantuar homologut austriak Wolfgang Sobotka se Kosova është e gatshme të pranojë dhe zbatojë marrëveshjet me Serbinë.

Pas takimin në një konferencë për media, Konjufca pohoi se i ka thënë austriakut se Serbia kërkon me ngulm një Republikë serbe brenda Kosovës.

Duke folur për luftën në Ukrainë dhe mosdënimin e agresionit rus nga Serbia, ai u shpreh i shqetësuar se Serbia po e destabilizon jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

“Kosova me shumë vullnet të mirë e pranoi marrëveshjen, por ne jemi dëshmitar se Serbia e lexon ndryshe marrëveshjen nga ajo që e lexon Kosova. Kjo marrëveshje është e ndërtuar në dy shtylla, e para është njohja de facto e Serbisë për Kosovën, kjo është shtylla substanciale.

Të sillesh si Serbia që ta hedhesh poshtë këtë, e kërkon me ngulm një Republika Serbska brenda Kosovës. Serbia duke i bërë thirrje Listës Serbe që të mos marr pjesë në zgjidhej nuk i kontribuon rajonit por shkakton nxitje për destabilizim të situatës”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, shprehu mbështetjen për rrugën evropiane të Kosovës.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe se dy palët duhet ta zbatojnë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë