Bashkimi Europian ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.
Stano u shpreh se vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut.
“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar të mërkurën(3 maj) se i ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit menaxhues pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të martën në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Kurti e ka cilësuar draft-statutin e prezantuar nga Ekipi menaxhues si një dëshirë për një “Republikë Sërpska të re”.
Stano më tej ka thënë se presin nga të dyja palët angazhim që të përfundojnë sa më shpejt negociatat për Asociacionin. Pritet të ftohen kryenegociatorët për takimin e radhës.
“Lehtësuesi i BE-së do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët e tyre në Bruksel për të filluar negociatat për statutin. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe të përfundojnë negociatat me shpejtësi”, tha Stano.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




