Kosova

Vuçiç para takimit me Kurtin: Do të jetë e vështirë

Pak orë përpara se të nisë takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Bruksel, presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiç shkroi në llogarinë e tij në Instagram se takimi do të jetë i vështirë.

“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim. Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiç.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë