Nga Gazeta “Si”-Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë për media mëngjesin e sotëm(2 maj) deklaroi se borxhi publik është ulur falë rënies së euros.
Teksa po bënte një bilanc të ecurisë ekonomike në vend, Ibrahimaj tha se në 3 mujorin e parë të vitit, borxhi publik është ulur nga 64.58% që ishte në fund të 2022, në 63.27%.
“Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm. Këtu dua të theksoj dhe peshën e kursit të këmbimit. Borxhi është i identifikuar dhe marrë në euro. Kursi euros ka sjellë dhe një rënie të borxhit publik.
Ne kemi pasur një rritje të tatimit mbi fitimin me 22.5%. Tatimi mbi të ardhurat është rritur me 9.5%. Kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur me 14.8%. Sektori i prodhimit ka pasur një rritje prej 31%. Kemi pasur rritje të punësimit në sektorin e ndërtimit, prodhimit, ndërsa ulje kemi pasur në sektorin e shërbimit. Kemi pasur rritje në sektorin e tregtisë.
Sektori i shërbimeve vijon të zërë peshën më të madhe në punësim. Sa i përket financimit të konsumit dhe pagave, presim që pagat të vijojnë të rriten. Presim që në 6 mujorin e dytë të ketë një rritje të ndjeshme. Shifrat e borxhit kanë vijuar të jetë pozitive”, tha Ibrahimaj.
Ajo tha se në vitin që lamë pas, sa i përket rritjes ekonomike, vetëm Mali i Zi ka qenë më mirë se ne në rajon, ndësa inflacioni ka qenë ndjeshëm në nivele më të ulëta se në rajon dhe Europë.
Më tej Ibrahimaj shtoi se për herë të parë pas një periudhe të gjatë, importet janë rritur më shumë në vëllim se sa në vlerë.
“Çmimet e importeve kanë filluar të ngadalësohen. Importet në vëllim janë rritur me 6.9% ndërsa në vlerë me 0.4%. Eksportet janë rritur qoftë në vlerë edhe në vëllim.”
Ajo gjithashtu theksoi se situata e çmimit të hidrokarbureve në vend po shkon drejt normalizimit.
“Bordi i Transparencës është në fuqi. Situata e çmimeve në tregun e hidrokarbureve ka ardhur në normalizim. Ka qenë një instrument që ka ndihmuar në mosarritjen dhe në mbajtjen në kontroll të çmimeve të karburanteve. Uroj që çmimet karburanteve të jenë normalizuar, me qëllim që të dalim nga regjimi i bordit”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



