Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të raundit të ri të dialogut me Serbinë në Bruksel, tha se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Srpska në veri të Kosovës.
Këto komente ai i bëri në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” dhënë gjatë forumit ekonomik në qytetin grek të Delphit.
Në takimin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel më 2 maj, do të prezantohet drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumë serbe që është një pikë kyçe e negociatave.
Ai shtoi se ende nuk e ka parë draftin që do të paraqitet në Bruksel.
“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”, tha ai.
“Megjithatë, ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, theksoi ai.
“Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, shtoi ai ndërsa theksoi se me Serbinë do marrëdhënie evropiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




