Kosova

Kurti takon Lajçak: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten(28 prill) me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi ka ndodhur në Delfi, ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik, i cili organizohet nën patronazhin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti dhe Lajçak diskutuan për takimin e radhës me 2 maj në Bruksel, ku në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiç.

Në takim u diskutua edhe për marrëveshjet e dakorduara ndërmjet palëve më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.

“Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kurtit.

Gjithashtu është theksuar se ai ka biseduar me Lajçakun edhe për zgjedhjet që u mbajtën në fundjavën e kaluar (23 prill) në katër komunat në veri të të Kosovës, si dhe për rëndësinë e sigurimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve.

Lajçak, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se me kryeministrin Kurti ka biseduar për rëndësinë e takimit në kuadër të dialogut, më 2 maj.

“ Do të jetë një hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën”, ka thënë Lajçak. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë