Kosova

Pas 20 vitesh do hapet Ura e Ibrit, Beogradi kërcënon me trazira: Kurti kërkon luftë

Gazeta Si – Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka miratuar me shumicë votash pro hapjes së urës së Ibrit, duke mundësuar që pas 20 vitesh të ketë mundësi lëvizjeje. Ura që lidh Mitrovicën e Veriut është e bllokuar nga serbët që ndalojnë kalimin e automjeteve.

13 vota ishin pro, një kundër nga komuniteti serb dhe një abstenim nga komuniteti shqiptar që kërkoi të shtyhet vendimi.
Vendimi i marrë ka shkaktuar menjëherë reagimin e Beogradit. Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.

Presidenti serb tha se ura mbi lumin Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – paraqet “një digë dhe mbrojtëse të interesave të popullit tonë në veri të Kosovës dhe Metohisë”.

Ai, sipas REL, theksoi se me vendimin për hapjen e urës, shqiptarët “duan të marrin” edhe Mitrovicën e Veriut.
“Kjo është ideja e tyre e kahershme, që për vite me radhë populli ynë e ka kundërshtuar. Kurti do ta justifikojë këtë vendim duke thënë se “nuk do geto në Mitrovicë, por qytete të hapura” dhe se “për këtë do t’ia hedh lehtë para përfaqësuesve perëndimorë”, tha presidenti serb.

“Por, ne po ashtu po ju themi atyre para takimit në Bruksel më 2 maj dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj: as mos ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët në çdo pjesë të Kosovës dhe Metohisë, sepse në atë rast ne do të dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne do të bëjmë çdo kusht të ruhet paqja”.

Ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe ishte më e ashpër në qëndrimin e saj. “Albin Kurti, sot pa dyshim ka treguar se dëshiron dhe ëndërron luftë, dhe do që i gjithë veriu i Kosovës të hyjë në konflikt”.

“Për këtë ai përdor përfaqësuesit dhe asamblistët jo legjitimë në veri të Kosovës dhe Metohisë. Për këtë vendim votuan 11 asamblistë nga Prishtina, një abstenoi dhe një ishte kundër”, thuhet në njoftim.

Drejtori i kësaj zyreje, Petar Petkoviç, tha se ka njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe ndërmjetësin e dialogut, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se ai pret nga ta që ta “qetësojnë Kurtin”.

Ndërsa Lista Serbe kërkon që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë