Gazeta Si - Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut, kanë shkaktuar vonesa në nisjen e trageteve nga Durrësi drejt portit italian të Barit që prej mbrëmjes së të martës.
Sipas kapitenerisë së portit detar të Durrësit, era e fortë me drejtim veri-perëndim dhe deti me forcë mbi 6 ballë, ka sjellë probleme në nisjen e trageteve të linjës Durrës-Bari natën e kaluar.
Dy tragetet me 750 pasagjerë në bordet e tyre kanë pritur rënien e shpejtësisë së erës dhe janë nisur me të paktën 5 orë vonesë, njëri rreth orës 03:15 dhe tjetri në 04:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Tragetet pritet të mbërrijnë në Bari rreth orës 10:00, ndërsa nuk ka pasur probleme në mbërritjen në kohë të dy trageteve të tjera mëngjesin e sotëm në Durrës.
Të favorizuara nga era ato kanë mbërritur para orarit të parashikuar në port. Situata detare ka shkaktuar probleme dhe në sektorin e peshkimit që ka pezulluar përkohësisht aktivitetin. Këtë të mërkurë, kushtet atmosferike në gjirin e Durrësit janë drejt përmirësimit.
Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin bregdetar të Vlorës. Autoritet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit.
Nga kapiteneria konfirmohet se nuk ka pezullim për lundrim brenda Gjirit të Vlorës, por situata paraqitet problematike jashtë saj. Ndaj, mjeteve të vogla dhe anijeve te peshkimit, u është kërkuar që të evitojnë lundrimin jashtë Gjirit të Vlorës.
Ndërkaq, është konfirmuar se nuk ka tragete për t’u nisur drejt Italisë, për shkak se sipas grafikut të parashikuar, sot është ditë pushim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.