Kosova

Osmani: Marrëveshja e re, por Serbia e vjetër, shkeli 2 marrëveshje për 24 orë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur dy shkeljet e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit që Serbia ka bërë gjatë 24 orëve të fundit.

Në një shkrim në rrjetin social Twitter, ajo ka thënë se Serbia ka mbetur ajo e njëjta, duke shtuar se ka shkelur nenin 2 dhe nenin 4 të marrëveshjeve.

“1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet Kosovë (në kundërshtim me nenin 2)

2. Lobimi dhe votimi kundër Kosovës aplikimit të KiE (në kundërshtim me nenin 4)

Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër”, ka shkruar Osmani.

Pas deklaratës së Osmanit reagoi menjëherë Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Ai ka përmendur Asociacionin që sipas tij, është gjëja që Kosova po shkel.

“Kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me siguri e ka fjalën për Bashkimin e Komunave Serbe. Obligimet e Prishtinës në raport me Asociacionin gjenden në gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit dhe deri më sot, 10 vjet më vonë, rezultati është zero.” – ka shkruar Petkoviç në Twitter.

Ai e ka quajtur absurd reagimin e Osmanit teksa ka thënë se edhe zgjedhjet komunale për katër komunat në veri, ishin absurde.

​Blerim Vela, shef i kabinetit të Osmanit i numëroi gjithashtu kryenegociatorit serb, shkeljet që Serbia u ka bërë marrëveshjeve të Brukselit.

“Petre, mos leh! Dje Serbia ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: ‘Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Vota juaj kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të penalizohet!”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ai është shprehur se kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëparshme të Brukselit, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë