Kosova

Vuçiç për zgjedhjet në veri: Ndodhën ndryshime tektonike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “kanë ndodhur ndryshime tektonike”.

“Dje populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiç për gazetarët më 24 prill.

Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të (kryeministrit të Kosovës, Albin)Kurtit”.

“Nën një, [zgjedhjet e 23 prillit] janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiç, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Sipas tij, zgjedhjet e 23 prillit ishin “referendum” për serbët që jetojnë në veri, për “të treguar se kë nuk duan në veri të Kosovës”.

Ai tha gjithashtu se të dielën u zhvillua një “kryengritje politike, paqësore e popullit serb”.

“Kam frikë se ky është preludi i një krize shumë më të madhe dhe më të thellë në muajt dhe vitet në vijim”, theksoi lideri serb.

“Ne nuk kemi nevojë për ndonjë konflikt me NATO-n, nuk jemi të aftë për këtë, por nuk jemi në një situatë që të lejojmë poshtërimin e mëtejmë të popullit tonë. Situata vetëm sa do të ndërlikohet”, shtoi Vuçiç.

Lideri serb akuzon QUINT-in për favorizimin e Kosovës

Vuçiç po ashtu foli për dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Ai tha se “nuk ka fare dialog substancial”, duke akuzuar shtetet e QUINT-it se favorizojnë Kosovën.

“Ne nuk bisedojmë. Marrim letra të imponuara që gjithmonë duhet të jenë në favor të Prishtinës, sepse QUINT është i tillë, përkrah pavarësinë e Kosovës pak a shumë, por gjithmonë është në favor të tyre”, deklaroi Vuçiç.

Ai së bashku me Kurtin pritet të takohen më 2 maj, në raundin e ri të dialogut, që synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.

Në agjendë të takimit pritet të jetë edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i këtij Asociacioni është paraqitur si kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë