Kosova

Zgjedhjet në veri, Petkoviç: Serbët dërguan Kurtin në ‘kontejner’

Drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç ka reaguar pas zgjedhjeve të djeshme të zhvilluara në katër komuna në Veri të Kosovës.

Petkoviç është shprehur se rezultatet e zgjedhjeve të djeshme tregojnë se ato zgjedhje janë disfatë për Kurtin dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe janë fitore e unitetit serb.

“Ato zgjedhje i organizoi Prishtina, përveç 13 që dolën, të gjithë serbët e tjerë qëndruan në shtëpi, kontejnerët në të cilët u hodhën votat ishin bosh si dhe kutitë e votimit, populli serb qëndroi i qetë, nuk reagoi dhe tregoi unitet të plotë dhe se beson vetëm në presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe se ai ka vetëm një shtet, e ai është Serbia”, ka thënë Petkoviç në një intervistë për mediat.

Ai ka theksuar se sipas rezultateve të djeshme, shqiptarët do të udhëheqin katër komuna serbe dhe do të qeverisin serbët që përbëjnë 98 për qind të popullsisë në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe se populli serb është tërhequr plotësisht.

“Ai tregon realitetin e ri që po shfaqet dhe se serbët kanë theksuar se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe progres derisa të formohet Bashkimi i Komunave Serbe. Kurti ka dashur t’i detyrojë serbët të votojnë në kontejnerë, kurse bojkoti i serbëve tregoi se populli serb e dërgoi Kurtin në kontejner”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë