Sociale

Sot Fitër Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë

Gazeta Si - Me mijëra besimtarë shqiptarë kryen faljen e namazit të festës së Fitër Bajramit mëngjesin e kësaj të premteje në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

Ceremonia nisi rreth orës 06:00, ndërsa Namazi u fal në orën 06:40. Ajo nisi me leximin e kuranit, vazhdon me një ligjeratë, faljen e namazit dhe Hytbe.

Besimtarët myslimanë kremtuan festën e Fiter Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

Kreu i KMSH-së Bujar Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi edhe shënjimin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Largimi i të rinjve nga vendi dhe për pasojë plakja e popullsisë, ishin pjesë kyçe e mesazhit që dha sot kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu në ceremoninë e mbajtur me rastin e Fiter  Bajramit.

Spahiu tha se, "Shqipëria po pakësohet dhe po plaket" dhe u bëri thirrje të rinjve "hiqni dorë nga braktisja e vendit".

Festa e Fiter Bajramit është kremtuar dhe në qytetet e tjera të vendit, ku qytetarë të shumtë kanë falur namazin.

-Në Vlorë, rreth orës 7 të mëngjesit besimtarët myslimanë kanë falur namazin në sheshin para “xhamisë së Plumbit”. Ceremonia e faljes është drejtuar nga kreu i myftinisë së Vlorës, Armand Asllani, i cili ka përcjellë mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Sipas myftiut Asllani, kjo festë simbolizon sakrificën ndaj Zotit, prandaj kërkohet më shumë dashuri midis njerezëve.

-Në Elbasan, riti i faljes u krye në sheshin “Gensher ”, nën drejtimin e Myftiut Agim Duka, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe mesazhin  e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë. Ndërkohë imamë e teologë mbajtën ligjërimet e rastit.

-Edhe besimtarët myslimanë në Fier kanë falur namazin e festës së shenjtë të Fiter Bajramit në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë percjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazolli. Ai përcolli  në fjalën e tij mesazhin për më shume paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit e veçanërisht për më shumë besim duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.

-Në Durrës, dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit.  Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:40 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë