Kosova

Konjufca pas kërkesës së SHBA-së për Asociacionin: S’duhet pranuar pa na njohur Serbia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit pa u arritur njohja nga Serbia.

Konjufca duke iu përgjigjur kërkesës së të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se deri më 2 maj duhet të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin, tha se mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në takim.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa u realizuar njoha de facto.

“Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator me të cilin Kosova tashmë është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet tash takimi i 2 majit që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi.

Unë mendoj që në dy binarë është e ndërtuar marrëveshja, binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de fakto”.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel.

“Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobari në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë