Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka deklaruar se asnjëherë nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ai ka folur në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, ku ky i fundit ka theksuar që presin zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të saj, mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas diplomatit suedez, tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet me BE-në dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave.
“Tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet plotësisht me BE-në në lidhje me Rusinë dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave. Sa i përket dialogut për normalizim presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit të zbatohen menjëherë”, ka thënë Billström.
Ndërsa sipas Vuçiç, Kosova duhet të formojë Asociacionin dhe pastaj Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës.
“Serbia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata, edhe palën tjetër”, ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




